Site icon Telegrafi

Atdhe Grajqevci: Familjarizëm te Kosova U-21

Të hënën pasdite është bërë publike lista e lojtarëve të ftuar nga Rafet Prekazi për ndeshjet e muajit qershor të Kosovës U-21. Lista përbëhet nga 25 lojtarë, ndërsa risitë për dallim nga grumbullimet e kaluara janë të shumta.

Pas publikimit të kësaj liste, ka reaguar futbollisti, Atdhe Grajqevci. Për Sportin në RTV Dukagjini, 20-vjeçari  ka thënë se ka dy vite që pret një ftesë nga përzgjedhësi Prekazi. Gjithashtu futbollisti i Drenicës ka thënë ai është i gatshëm të luajë për Kosovën mirëpo për grupmoshat U-21 më nuk do të pranojë të luajë.

“Ky reagim është bërë dje, por mllefi ka filluar prej dy vitesh kur kam përfunduar në Kombëtaren U19. Kam qenë i padiskutueshëm në U19. Është bërë ndoshta përzgjedhja e 60 futbollistëve në U21 dhe nuk jam përzgjedhur. Nuk kam marrë së paku as ndonjë telefonatë nga përzgjedhësi që së paku të më thotë: ‘Atdhe je në rend dikah’. Së paku të di se do të ftohesha një ditë. Prej dy vitesh kamë parë listat. Ka lojtarë që me 70 minuta lojë janë ftuar aty… Nuk kam refuzuar asnjëherë përfaqësuesen e Kosovës dhe nuk do ta bëj një gjë të tillë”, tha për RTV Dukagjinin, Atdhe Grajqevci.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja e Kosovës

Ish-reprezentuesi i Kosovës U-19 beson se e ka merituar një vend në listën e trajnerit. Gjithashtu, Grajqevci ka përmendur dhe disa emra tjerë nga futbolli kosovar që, sipas tij, duhej të ishin ftuar nga Prekazi.

“Besoj shumë që kam merituar një ftesë pasi kam luajtur të gjitha ndeshjet me KEK-un dhe kam qenë ndër lojtarët kryesorë. Më pas jam transferuar te Drenica, ku edhe aty kam luajtur gati 70 për qind të ndeshjeve. Unë kam folur (kritikuar), por ka edhe lojtarë të tjerë që kanë shumë potenciale dhe së paku të na ftonin për të parë se a kemi kualitete apo jo”, është shprehur ndër të tjera Atdhe Grajqevci.

Ndryshe, Kosova U21 do të zhvilloi dy ndeshje në muajin qershor, së pari kundër Andorrës dhe pastaj në stadiumi “Fadil Vokrri” përballë Turqisë./RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version