Telegrafi

Atalanta ndal serinë dhe mposht thellë Interin, Gjimshiti shënon në këtë fitore

Atalanta ka fituar me rezultat të thellë 4-1 ndaj Interit në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Serie A, duke ia ndalur mysafirëve serinë prej shtatë fitoreve radhazi.

Pjesa e parë e ndeshjes u dominua nga vendasit, të cilët përveç rasteve të shumta arritën ta shënojnë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e nëntë të ndeshjes me anë të Hans Hateboer, i cili shënoi për 1-0 pas një asistimi të mirë nga Robin Gosens.

Festa e Hans Hateboer (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Atalanta pati raste të mira edhe me Alejandro Gomez (11′) dhe Josip Ilicic (23′), por goli iu mohua nga Samir Handanovic dhe skuadrat shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, Interi arriti të kthehet shpejt në lojë duke shënuar pas vetëm dy minutave me anë të Mauro Icardi, i cili shënoi nga penalltia për 1-1.

Mauro Icardi (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Megjithatë, Atalanta arriti të kthehet në lojë në minutën e 62-të pasi mbrojtësi Gianluca Manici shënoi me kokë për 2-1.

Gianluca Mancini (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Pas këtij goli, Interi u hodh në sulm me të gjitha forcat, por ishin përsëri vendasit që shënuan edhe dy gola në fund.

Fillimisht ishte mbrojtësi i Shqipërisë, Berat Ghimshiti (88′), i cili shënoi për 3-1, ndërsa Gomez (90+) vulosi fitoren me rezultat përfundimtar 4-1.

Pas kësaj humbje, Interi mbetet në pozitën e tretë me 25 pikë, ndërsa Atalanta ngjitet në vendin e gjashtë me 18 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Atalanta udhëton te Empoli, ndërsa Interi e pret në shtëpi Frosinonen. /Telegrafi/