Ardhja e Ilkay Gundogan tek Barcelona ka qenë një ndër gjërat më të bukura që i kanë ndodhur blaugranasve gjatë dy viteve të fundit. Me gjithë kaosin që e ka shoqëruar atë, ai ka mbajtur një nivel shumë të lartë, dhe po mundohet ta vendos një standard tek pjesa tjetër e bashkëlojtarëve.
Ta kesh një lojtar si Gundogan në ekip, që ka qenë në maje të futbollit për shumë vite, tek Barcelona do të jetë e mirëseardhur për lojtarët e rinj në moshë.
Yjet si Lamine Yamal dhe Pau Cubarsi do të mësojnë shumë nga përvoja e mesfushorit gjerman, por siç ka zbuluar Gundogan në një intervistë, edhe ai po mëson shumë nga gjenerata e re e Barcelonës.
“Natyrisht, është një gjeneratë më ndryshe, ata janë rritur në kushte të tjera dhe nuk e kanë mentalitetin e njëjtë në shumë gjëra, por sinqerisht, edhe unë po mësoj gjithashtu nga ta, nga perspektiva e tyre”, ka thënë fillimisht Gundogan.
“Më pëlqen kur lojtarët e rinj stërviten ose luajnë, si Lamine ose Pau, pa menduar shumë. Ata hyjnë në fushë dhe luajnë, dhe ju mendoni se ata nuk e ndjejnë presionin, ose nuk shqetësohen për presionin”.
“Në fakt, kështu duhet të jetë, dhe arsyeja pse ata janë të jashtëzakonshëm, është sepse nuk shqetësohen fare. Ata e dinë që janë të talentuar dhe luajnë sipas mënyrës së tyre”, është shprehur ai.
Barcelona ka ndërtuar një atmosferë e cila i lejon lojtarët e rinj të ekipit të dëshmojnë potencialin e tyre. Sigurisht, kjo është një shenjë e mirë për katalanasit, të cilët po synojnë të rikthejnë lavdinë e tyre të mëparshme./Telegrafi/