Site icon Telegrafi

Ata ishin martuar dy javë më parë: Pasagjeri i dërgoi një selfie gruas së tij, pak para rrëzimit të aeroplanit indonezian (Foto)

Një pasagjer i cili supozohet se mund të jetë një nga viktimat në një fatkeqësi të aeroplanit indonezian dërgoi një selfie për gruan e tij, pak para ngritjes së aeroplanit dhe më pas “zhytjes së tij”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Deryl Fida Febrianto dërgoi fotografinë në 6.01 të mëngjesit, pak para fluturimit JT-610, në të cilin gjendeshin 189 njerëz dhe i cili u nis nga Xhakarta dhe u zhyt në detin Java në Indonezi.

Siç thuhet më tej, 22-vjeçari është shfaqur me një maskë të gjelbër dhe duke parë kamerën përpara fluturimit fatkeq në Pangkal Pinang, një ishull në veri të kryeqytetit.

Febrianto dhe gruaja Lutfinani Eka Putri, 23 vjeç, ishin martuar vetëm dy javë më parë dhe ai ishte në rrugën e tij për të punuar në një anije udhëtimi.

Lexo po ashtu Rrëzohet aeroplani me 189 persona në Indonezi, nuk raportohet për të mbijetuar (Foto/Video)

Lutfinani tha se burri i saj u përshëndet me të në orën 6.12, por nga ora 6.15 kishte ndaluar t’i përgjigjej mesazheve të saj.

Ata ishin rritur së bashku, u tha gazetarëve, duke treguar një pamje të çiftit të qeshur në ditën e tyre të dasmës.

“Kur e pashë lajmin, unë e krahasova numrin e fluturimit me fotografinë e biletave që Deryl kishte dërguar”, tha ajo. “Fillova menjëherë të qaja”.

Ndërkohë, Yusuf Latief, zëdhënës i agjencisë kombëtare të kërkimit dhe shpëtimit, tha se nuk kishte të ngjarë që të kishte ndonjë të mbijetuar.

Gjithashtu, së paku deri më tani, nuk ka ndonjë supozim rreth shkakut të mundshëm të aksidentit. /Telegrafi/

Exit mobile version