Astronautja e NASA-s, Kate Rubins, thotë se planifikon të votojë nga hapësira në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA-së, të cilat do të mbahen më 3 nëntor.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Rubins gjendet aktualisht në qendrën e trajnimit Star City në Rusi, duke u përgatitur për nisje drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).
Ajo potencoi se shumë prej astronautëve e cilësojnë të rëndësishëm votimin, edhe në qoftë se duhet ta kryejnë atë nga orbita.
“Ne ndihemi me fat që kemi nderin të votojmë nga hapësira, unë planifikoj që të votoj në nëntor”, u shpreh Rubins.
“Mendoj se kjo është e rëndësishme për të gjithë qytetarët. Nëse ne mund ta kryejmë obligimin tonë përmes hapësirës, atëherë edhe të tjerët mund ta kryejnë atë edhe nga toka”, vazhdoi ajo.
Shumica e astronautëve që posedojnë një vendbanim në Houston, mund të votojnë përmes një sistemi të sigurt elektronik, gjë që ia mundëson edhe ligji i Teksasit. /Telegrafi/