Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kohën e koalicionit Rugova-Haradinajn (LDK-AAK), Astrit Haraqija, në 11 vjetorin e ndarjes nga jeta, e ka kujtuar presidentin historik të vendit, Ibrahim Rugova.
Haraqija në intervistë për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit, ka folur në cilësinë e mikut personal të presidentit Rugova, ku ka përshkruar orët e fundit të jetës së presidentit në rezidencën e tij në Velani.
Mes tjerash, Haraqija ka deklaruar për herë të parë, porosinë që presidenti Rugova i kishte lënë atëherë ministrit Haraqija, në praninë e familjes së tij.
“Ka qenë diku ora rreth 04;00 e mëngjesit, në praninë e Mendimit, Ukës, familjes dhe mjekëve presidenti Rugova më ka porositur: ‘Astrit Haraqija, dëgjoni mirë e mbajeni në mend! Fati jonë më i madh është që kemi arritur t’i kemi miq SHBA-të. Andaj, edhe kur nuk do iu pëlqejë ndonjë vendim i tyre, ju duhet ta respektoni. Pa Amerikën nuk do të ishim askund as sot’”, deklaroi Haraqija, duke kujtuar porosinë e presidentit Rugova.
Ish-ministri militant i LDK-së, në kohën e presidentit Rugova, Astrit Haraqija, po ashtu si çast të rëndë të ditës së vdekjes së presidentit Rugova e ka kujtuar edhe momentin e largimit të ekipit të mjekëve amerikan nga presidenca, pasi që presidenti kishte ndërruar jetë.
“Sikur që ajo mbetet dita më e rëndë e jetës time, moment shumë i rëndë ka qenë largimi i ekpit të mjekëve amerikan nga presidenca. Ajo më ka prekur shumë. Presidenti kishte ndërruar jetë, mejkët na ngushëlluan. Ishte e rëndë.”-kujton Haraqija.
Haraqija duke folur për Radio Dukagjinin, ka ironizuar me klasën e sotme politike të vendit, siç ka thënë, që Rugovës i shkojnë tek varri vetëm për punë fushatash elektorale. /Telegrafi/