Site icon Telegrafi

BE: Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive

Qëndrimi i Bashkimit Evropian është se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të jetë pushtet paralel në Kosovë dhe nuk do të miratojë ligjet e veta, ashtu siç edhe e kishte bërë këtë të qartë ish-shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini në Parlamentin e Kosovës më 6 maj 2016.

Kështu ka bërë të ditur nga Peter Stano, zëdhënës i shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në një përgjigje ndaj kërkesës së agjencisë së lajmeve Beta për të sqaruar nëse Borrell dhe emisari special i BE-së Miroslav Lajçak ende mbështesin mesazhin e Mogherinit se Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive.

Përmbajtja e letrës së Mogherinit së fundmi iu zbulua të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë nga ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe letra ka datën një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes për Asociacionin, trnsmeton Telegrafi.

“Ne do të dëshironim t’i referoheshim deklaratës së ish-shefes së diplomacisë evropiane Mogherini në Kuvendin e Kosovës më 6 maj 2016, në të cilën ajo shpjegoi qartë pozicionin e BE-së”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Stano.

Stano gjithashtu ka përkujtuar se “Federica Mogherini gjithashtu ka thënë se Asociacioni do të krijohet brenda kornizës ekzistuese të ligjit dhe autoritetit të Kosovës…, sipas konkluzioneve të fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat ofrojnë udhëzime për të siguruar që, sapo të hartohet, Statuti i Asociacionit/Bashkësisë të jetë pasqyrim i ligjeve të Kosovës”.

Më tej zëdhënësi i shefit të diplomacisë së BE-së ka thënë se “Aociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të jetë një pushtet paralel në Kosovë dhe nuk do të miratojë ligjet e veta”. /Telegrafi/

Exit mobile version