Kryetarët e komunave janë pajtuar me masat e reja të vendosura dje nga Qeveria e Kosovës, por bashkë me Asociacionin e Komunave të Kosovës, janë kundër mbylljes totale.
Derisa ende nuk dihet numri i punëtorëve të vaksinuarë nëpër komuna, e të cilët pas 13 shtatorit do të duhej të kenë certifikatën e vaksinimit ose testin negativë për të hyrë në vendin e punës, komunave pritet t’iu shtohen edhe 400 inspektorë.
Drejtori i Asociacionit të komunave, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar për takimin që kanë pasur me ministrin Vitia kundrejt masave të fundit që janë miratuar nga Qeveria e Kosovës.
“Të dyja palët edhe nivel lokal edhe niveli qendror janë të shqetësuar me rritjen e numrit të infektuarve, sidomos me rastin e numrit të vdekjeve, për këtë arsye u diskutua për marrjen e disa masave në mënyrë që masat anti-covid pak kushtimisht them që të shtrëngohen. Kryetarë të komunave, si dhe drejtorë komunalë, por edhe të gjitha komunat prioritet mbi prioritete e kanë jetën e qytetarit dhe për këtë arsye besojmë dhe duam të shpresojmë që masat e marra do të shkojnë në atë drejtim që numri i të infektuarave do të bie, më konkret numri i të vdekurve do të bie. Për këtë arsye këto masa edhe nga komuna u përshëndetën në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarit të Republikës se Kosovës,” ka thënë ai.
Ibrahimi nuk la pa përmendur edhe mbylljen totale për të cilën si asociacion janë kundër.
“Sa i përket mbylljes totale në asnjë rast kryetarët e komunave dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës nuk është pro ndonjë mbyllje totale, ashtu siç ka qenë më parë sepse rrethanat janë ndryshe. Në atë kohë kur kemi pas mbyllje totale nuk kemi pas vaksina, kurse tash kemi vaksina. Kërkesa e Asociacionit të Komunave të Kosovës është që sa më shumë të kemi pika të vaksinimit apo qendra të vaksinimit, këtë gatishmëri e kanë shprehur edhe kryetarët e komunave gjatë takimin me ministrin Vitia dhe kanë kërkuar që numri i punonjësve shëndetësorë të rritet, të shtohet në mënyrë që qytetari i Kosovës të ketë mundësi ta marrë vaksinën. Në ditët e fundit kemi grumbullime nëpër qendrat e vaksinimit dhe për këtë arsye komunat në takimin e fundit kanë kërkuar nga ministri Vitia që të bëjë të pamundurën që të hapë sa më shumë qendra të vaksinimit. Në anën tjetër mbyllja nuk është zgjidhje sepse përveç shëndetit publik duhet të kemi kujdes edhe për shëndetin ekonomik, sepse është konstatuar se pa shëndet ekonomik edhe shëndeti publik po është problem të mirëmbahet, për këtë arsye kryetarët e komunave, asociacioni i komunave nuk është pro mbylljes,” ka vlerësuar ai.
Ai shtoi se kanë kërkuar që të rritet numri i inspektorëve komunal, në mënyrë që të bëhet monitorimi i masave anti-COVID.
“Neve si asociacion e kemi ngrit këtë shqetësim, në nivelin qendrorë, dhe me rishqyrtimin e buxhetit të vitit 2021 edhe 76 inspektorë komunalë në nivelin lokalë i janë marrë komunave dhe janë centralizuar, por përveç që kemi pas mungesë të inspektorëve në nivelin lokal me marrjen e këtyre 76 inspektorëve hendeku është rritur. Për këtë arsye ne kemi bërë apel kemi kërkuar nga niveli qendrorë që numri i inspektorëve në nivel lokal të shtohet në mënyrë që monitorimi i masave të bëhet apo edhe zbatimi i masave. Na është premtuar nga ministri që tani është një numër rreth 1 mijë 200 punonjës shëndetësorë dhe inspektorë janë në rekrutim. Neve kërkuam edhe njëherë që numri i inspektorëve të shtohet në nivelin lokal dhe ministri Vitia gjatë bisedës na premtoi që në një të ardhme shumë të shkurtër numri i stafit që do të delegohet në nivelin lokal do të jetë plus 400” ka deklaruar ai.
Ibrahimi flet edhe për granitn e katërt që do të jetë për komunat nga Qeveria e Kosovës.
“Ka qenë kërkesë e kamotshme e asociacionit të komunave të Kosovës që të kemi një grant për komuna apo një grant të katërt d.m.th për investime kapitale për të cilat kompetencë është komuna neve për ligjin për financa lokale kemi tri grante deri tani, është granti i përgjithshëm, granti për arsim dhe granti për shëndetësi dhe formulat që janë në këto tri grante kanë qenë të mirëpritura nga niveli lokal, mirëpo është konstatuar që njëfarë lloj hile është duke u bërë nga niveli qendror kur vjen te investimet nga niveli qendrore, nga ministrit e linjës për komunat ku është parë që në disa raste për shkak të përkatësisë politike apo etnike, ministrit e linjës kanë investuar në komuna të veçanta. Për këtë arsye kemi kërkuar që të gjitha komunat të kenë një trajtim të barabartë nga niveli qendrorë dhe kërkesa jonë ka gjetur vend në projektligjin për financa lokale, i cili është duke u amandamentuar,” ka thënë ai.
Masat e reja të marra ditën e djeshme nga Qeveria e Kosovës, kanë hyrë në fuqi sot dhe do të jenë në fuqi deri më datën 13 shtator.