Site icon Telegrafi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon sulmin fizik ndaj gazetarit Altin Ahmeti

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar sulmin ndaj gazetarit të RTK-së, Altin Ahmeti, i cili ka ndodhur mbrëmë vonë në një lokal të Prishtinës.

AGK-ja ka dënuar këtë akt dhe ka kërkuar nga organet e renditë e drejtësisë që t’i zbulojnë motivet e sulmit dhe përgjegjësin ta sjellin para drejtësisë.

“Asociacion i Gazetarëve të Kosovës ka marrë me shqetësim sulmin fizik ndaj gazetarit të Radiotelevizionit të Kosovës, Altin Ahmeti. Gazetari Altin Ahmeti ka njoftuar se është sulmuar nga pesë persona të cilët, sipas tij, e kanë kërcënuar me vrasje. Rasti është konfirmuar nga policia, e cila ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetimet. AGK e dënon këtë akt dhe kërkon nga organet e rendit e të drejtësisë që t’i zbulojnë motivet e këtij akti dhe autoret t’i sjellin para drejtësisë”, thuhet në reagimin  e AGK-së.

Në lidhje me rastin ka raportuar edhe Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, që e ka cilësuar rastin si ‘lëndim i lehtë trupor’.

Sipas raportit, personi që e sulmoi Ahmetin është ende në arrati.

“Rr. B, Prishtinë 01.03.2020 – 22:15. Viktima mashkull K/Shqiptar, gazetar i RTK-së ka raportuar se derisa kishte qenë në një kafiteri për motive të panjohura ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull K/Shqiptar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, viktima si pasoj e sulmit ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari  gjendet në arrati. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet”, thuhet në raport.

Lexo po ashtu Policia jep detaje për rrahjen e gazetarit të RTK-së, Altin Ahmeti

Siç raporton RTK sulmi fizik ndaj gazetarit Ahmeti, ka ndodhur në lokalin “Friends Aveny” të kryeqytetit.

Edhe pse ende nuk dihen rrethanat se shkaqet se pse ka ndodhur një sulm i tillë, është raportuar se pesë personat kanë hyrë në këtë lokal dhe e kanë rrahur kryeredaktorin e ueb-faqes së RTK-së.

Ndërkaq, personi që dyshohet për sulmin brutal është zyrtari i Telekomit të Kosovës, Gëzim Makolli.

“Pesë vetë më sulmuan dhe dolën duke më kërcënuar se do të më vrasin. Personi në fjalë është Gëzim Makolli. E ftova policinë dhe prokurorinë. Nuk i di arsyet e sulmit”, ka thënë Ahmeti.

Policia dhe prokuroria janë në dijeni të ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin. /Telegrafi/

Exit mobile version