Organizata “Handikos” ka njoftuar se asnjëri kandidat që garon për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet parlamentare 2025 nuk e ka nënshkruar letrën e zotimit për çështjet e personave me aftësi të kufizuara që duhet të jenë prioritet në qeverisjen e ardhshme.
Sipas njoftimit të “Handikos”, më 13.01.2025, në mënyrë elektronike dhe në formë fizike ka adresuar letër zotimin tek kandidatët për kryeministër te të gjitha subjektet politike.
Qëllimi i letrës së zotimit të përpiluar nga “Handikos” është përmirësimi i jetës së përditshme të personave me aftësi të kufizuara dhe zbatimin e të drejtave të tyre, të cilat garantohen me legjislacion.
Nga “Handikos” kanë treguar se cilat janë kërkesat që i kanë adresuar më me prioritet te kandidatë për kryeministër:
Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Ndërtim, i cili do rregullojë qasshmërinë për personat me aftësi të kufizuara;
Nxjerrja e Aktit nënligjor, për rehabilitimin e personave paraplegjik dhe tetraplegjik, bazuar në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik;
Lirimi nga zhdoganimi i automjeteve të përshtatura nga taksa e importit, përfshirë TVSH -në për personat me aftësi të kufizuara, kujdestarët e tyre dhe shoqatat e licencuara, që ofrojnë shërbime për persona me aftësi të kufizuara;
Sigurimi i Kodit Buxhetor për financimin e organizatave të personave me aftësi të kufizuara, në Ligjin për buxhet;
Ata madje kanë kritikuar edhe programet e partive politike.
“HANDIKOS shpreh indinjatën për faktin që asnjë subjekt politik nuk ka paraparë diçka konkrete në Plan Programet e tyre qeverisëse në aspektin e përmirësimit të jetesës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, qoftë në fushën e të drejtat të njeriut, në shërbime shëndetësore, mirëqenies apo në çfarëdo fushe tjetër, ku do promovohej edhe një gjithëpërfshirje sa më e madhe” – thuhet në njoftimin e “Handikos”, më 04.02.2025.
Tutje, “Handikos” ka përmendur edhe të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), sipas të cilave rezultojnë që jetojnë 337,859 persona me vështirësi afatgjate në Kosovë ose 20.3% e popullsisë së përgjithshme.
“HANDIKOS bën thirrje publike që të merren parasysh kërkesat që burojnë nga nevojat e këtij komuniteti të shoqërisë tonë, që në shumë situata janë të diskriminuar, të ketë më shumë angazhim në zbatimin e të drejtave dhe të trajtohen si qytetarë të barabartë, që meritojnë mundësi dhe integrim të plotë” – kanë theksuar nga “Handikos”.
“Handikos” kishte njoftuar edhe më 17.01.2025 se u është dërguar letra e hapur të gjitha subjekteve politike në vend duke kërkuar zotimin e tyre për zbatimin e çështjeve që prekin personat me aftësi të kufizuara.
Kryeministri aktual i Kosovës dhe njëherit kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti e kishte vizituar organizatën “Handikos” më 03.12.2024, një ditë para shënimit të 3 dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Kandidati për kryeministër nga LDK është Lumir Abdixhiku, ai për PDK është Bedri Hamza, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët – Ramush Haradinaj.
“Tash ndjek studimet në fakultet privat për shkak se fakulteti i shtetit, qysh e dimë na, nuk i plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet që na me pasë një lëvizje sa ma të lirë” – i kishte thënë studenti me aftësi të kufizuara, Eldin Gashi, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Përveç me studentin, pas fjalimit të tij, Kurti u përball edhe me një prind, Lumnije Bojku, e cila e shoqëronte djalin e saj me aftësi të kufizuara dhe i kërkoi kryeministrit që t’ia punësonte në një punë të shtetit, pasi në sektorin privat nuk po ia pranojnë.
Eldin Gashi është 19-vjeçar dhe përfaqësues i grupit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në “Handikos”.
Gjatë fjalimit të tij, Gashi i ishte drejtuar kryeministrit Kurti duke ia treguar gjendjen në studime dhe theksoi se pa dashje ose me dashje ata janë pjesë e diskriminimit e bullizimit sa i përket bashkëmoshatarëve, arsimtarëve.
19-vjeçari përveç që ia përmendi fakultetin privat Kurtit, ia përmendi edhe spitalin privat.
Sipas Gashit, në vitin 2019 ka pasur një problem me zemër dhe i është dashur të operohet në spital privat.
“Jam ballafaqu edhe njëherë me mjekësinë edhe me spitalin e shtetit në QKUK. Ku e kam pa që aty nuk ka qasje të duhur edhe nuk ka shërbim të duhur shëndetësor për sa i përket sfidës edhe sëmundjes time. Edhe është dashtë me bo operacion transplant në spital privat, ku të gjitha materialet, paret i kam jep prej vetes” – ka treguar Gashi.
Në fund të fjalimit të tij, Gashi i ka kërkuar Kurtit më shumë bashkëpunim për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Për Lumnije Bojkun takimet e tilla të “Handikos”-it, ku shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara, janë të mjaftueshme.
Ajo i kërkoi Kurtit që djali t’i punësohet në një punë të shtetit, pasi nuk po i ofrohet mundësia në punë në sektorin privat. Kurti i është përgjigjur se do t’i ndihmonte zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna, duke ua marrë të dhënat kontaktuese.
Në anën tjetër, KALLXO ka realizuar dy hulumtime në vitin 2023 dhe 2024 përmes së cilave është kuptuar institucionet publike diskriminojnë grupet e margjinalizuara.
Në hulumtimin e vitit 2023, mbi 20 institucione publike të vendit, janë monitoruar për më shumë se gjashtë muaj për të parë nëse i plotësojnë obligimet ligjore mbi të drejtat e njeriut.
Mediumi zbuloi se shumica prej tyre nuk ofrojnë qasje fizike për personat me aftësi të kufizuara.
Institucionet, gjithashtu, nuk punësojnë persona me aftësi të kufizuara ashtu siç parasheh ligji e po ashtu ato diskriminojnë gratë në punësim dhe në pozita udhëheqëse.
Njëra nga gjetjet e hulumtimit tregon gjithashtu se institucionet e monitoruara diskriminojnë personat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Kurse, në hulumtimin e vitit 2024, pesë komunat: Prizreni, Mitrovica e Jugut, Suhareka, Gjakova, Mamusha dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës ishin pjesë e një hulumtimi gjatë mujor.
Monitorimi u zhvillua në gjithsej 27 institucione duke përfshirë objektet e komunave, klinika të QKUK-së, objektet e QKMF-ve, Qendrave për Punë Sociale e shkollave për të parë nëse institucionet publike ofrojnë qasje fizike për persona me aftësi të kufizuara.
Hulumtimi konstatoi që vetëm një institucion ofron qasje sipas standardeve.
Në këto institucione u vërejt edhe diskriminimi në punësim i personave me aftësi të kufizuara. Shumica e tyre nuk plotësojnë kushtin ligjor i cili thotë që në çdo të 50-tin punëtorë, një person me aftësi të kufizuara duhet të jetë i punësuar.