Ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot komunën e Mitrovicës, ku u prit nga kryetari Agim Bahtiri me të cilin ka biseduar në lidhje me hapat e ndërmarrë për menaxhimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
U.d. ministri Sveçla ka vizituar edhe lagjet “Fidanishte” dhe “2 Korriku” ku jetojnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Në komunën e Mitrovicës, siç u njoftuan gjatë kësaj vizite, përkundër vështirësive socio-ekonomike të komuniteteve RAE nuk është prekur asnjë deri më tash me COVID-19.
“Sveçla ka siguruar banorët e këtyre lagjeve për përkrahjen e të gjitha institucioneve të Kosovës me qëllim të tejkalimit sa më të lehtë të situatës së krijuar pas përhapjes së coronavirusit”, thuhet në njoftim e bërë nga MPBAP.
Po ashtu, u.d. ministri Sveçla sot është njoftuar nga Agim Bahtiri për disa projekte të Komunës së Mitrovicës që kanë për qëllim përmirësimin e jetesës së këtyre banorëve./Telegrafi/