Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, gjatë raportimit para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ka bërë të ditur se asnjë hidrocentral në Kosovë nuk posedon leje mjedisore dhe se deri më tani vetëm një kërkesë ka pasur për leje mjedisore.
“Gjendja aktuale nuk është e kënaqshme sidomos për hidrocentralet. Asnjë hidrocentral nuk posedon leje mjedisore, dhe për ministrinë nuk janë legale. Gjithashtu dua ta sqaroj, që nuk është ministria jonë e vetme që merret me këtë çështje, është një radhë e procedurave derisa një operator ta merr leje për hidrocentralet. Unë kam kërkuar që të ketë kujdese kur jepen lejet. Për leje mjedisore deri më tani ka aplikuar vetëm një hidrocentral”, tha ai.
Matoshi ka folur edhe rreth vendosjes së laurës në Grykën e Rugovës, e të cilën po e kundërshtojnë banorët.
“Janë tri arsye, të vendosjes së kësaj laure, parandalimi i druve në parqe, me ndërtimet pa leje në parqet nacionale me ndalimin e gjuetisë ilegale që po ndodhin, ka disa specie që janë rrezikuar. Në parqe nuk ka pasur investime më parë, dhe jemi të interesuar që të ndodhë. Nuk ka ndërlidhje me pagesa, nuk do të jenë të obliguar të paguajnë taksë. Ndoshta në të ardhmen, ne që dëshirojmë të shkojmë të vizitojmë, do të mund edhe të paguajmë”, tha Matoshi.
Besa Gaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se me hidrocentralet po bëhet krim i organizuar.
“Ne e kemi një aset siç është qymyri. Por jemi shteti më i mangët me ujë. Në një shtet siç është Kosova me kaq pak ujë, ka krim të organizuar me këto hidrocentrale, dhe më befasuat ministër se si nuk ka asnjë leje mjedisore për hidrocentrale”, tha ajo.
Ministri Matoshi tha se kanë ngritur padi për operatorët e pa pajisur me leje mjedisore. /Kp/Telegrafi/