Exit pollet e zgjedhjeve të dyta të përgjithshme brenda 5 muajve në Izrael tregojnë se partia Likud e kryeministrit Beniamin Netaniahu dhe ajo centriste bardh e blu e Benny Gantz janë kokë më kokë me rezultate.
Asnjëra prej forcave politike, bashkë me aleatët, nuk arriti të siguronte mjaftueshëm vende sa për të krijuar një mazhorancë parlamentare, çka shton mundësinë e negociatave të zgjatura e të vështira për një qeveri uniteti.
Në mënyrë që të tërhiqte votuesit nacionalistë, Netaniahu deklaroi se po t’i fitonte zgjedhjet, do t`i aneksonte të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor.
Por as ky zotim i fortë nuk i solli mjaftueshëm vota sa për të arritur shumicën e 61 vendeve në Knesetin izraelit me 120 vende.
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në shtetin hebre e vendosin ish-ministrin e mbrojtjes Avigdor Lieberman në rolin e “kingmaker“-it.
Partia e tij laike e linjës së ashpër Yisrael Beitenu, e cila mori shumë mbështetje nga rusisht folësit, duket se e ka dyfishuar performancën e saj krahasuar me zgjedhjet e prillit.
Rezultatet e zgjedhjeve vënë në dyshim të ardhmen e Netaniahut. Lideri më jetëgjatë në politikën izraelite kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi nuk arriti të krijonte disa muaj më parë një koalicion qeverisës.
Gjatë ditëve në vijim vëmendja pritet të drejtohet te presidenti Reuven Rivlin, i cili është përgjegjës për caktimin e kandidatit që në bindjen e tij, do të ketë shanset më të mira për të krijuar qeverinë./tch/