Autoriteti kosovar i konkurrencës ka bërë të ditur se ka deri tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga qytetarët lidhur me laboratorët privat të cilët janë të licencuar për testime për COVID-19.
AKK u bëri thirrje qytetarëve që t’i drejtohen AKK-së në rast se shohin ndonjë parregullsi eventuale.
“Siç e dini, që nga dita kur Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë licencuar një numër i laboratorëve që do të ofrojnë testimin për virusin SARS-CoV-2, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka ndërmarrë të gjitha masat për monitorimin e këtij tregu përkatës, në mënyrë që të evitohet çfarëdo shkelje e mundshme e konkurrencës. Gjatë ditëve të fundit, ne kemi arritur të mbledhim të dhëna të detajuara nga një numër i konsiderueshëm i laboratorëve të licencuar dhe institucioneve të tjera përgjegjëse (siç janë Ministria e Shëndetësisë, Dogana e të tjera), dhe jemi duke monitoruar sjelljen e këtyre institucioneve shëndetësore, me theks të veçantë në caktimin e çmimeve të shërbimeve”, thuhet në njoftim.
“Në Autoritetin e Konkurrencës nuk kemi pranuar ende ndonjë ankesë nga qytetarët, por i ftojmë të gjithë që t’i drejtohen AKK-së në rast se shohin ndonjë parregullsi eventuale. Po ashtu, i ftojmë sërish edhe laboratorët e licencuar që t’i drejtohen Autoritetin të Konkurrencës në rast se kanë nevojë për ndonjë sqarim lidhur me këtë çështje”, thuhet më tej.
Në njoftim bëhet e ditur se çdo të premte, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do të jap deklaratë për medie rreth procesit të Monitorimit të Çmimeve. /Telegrafi/