Telegrafi

“Askush nuk e dëgjoi!”, madje Merkel “u largua nga aty”: Shefi i BE-së injorohet gjatë fjalimit të tij për Brexit (Video)

Politikani francez që shërben si kryenegociator i Bashkimit Evropian për daljen e Mbretërinë e Bashkuar nga Unioni, Michel Barnier është gjendur në një pozitë jo të lakmueshme pasi politikanët e BE-së e injoruan fjalimin e tij për Brexit, në një konferencë në Finlandë.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, anëtarët e grupit të EPP-së të qendrës së djathtë biseduan mes vete, pasi francezi u përpoq të jepte një mesazh të zjarrtë rreth kërcënimeve për të ardhmen e bllokut.

Si detaje përmendet momenti kur eurodeputeti gjerman, Manfred Weber, u ngrit dhe “bënte fotografi”.

Gjithashtu, çfarë ka rënë në sy ka qenë edhe momenti kur kancelaria gjermane, Angela Merkel, largohet nga aty.

Me gjasë, sipas mediave, Merkel, si një mbështetëse e fortë e Barnier mbi Brexit, po shkonte për të mbajtur bisedime private me një nga përfaqësuesit e pranishëm.

Madje, sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, sjellja ishte aq e keqe saqë kryeministri bullgar, Bojko Borisov, më vonë qortoi delegatët nga skena, duke u thënë se Barnier po i njoftonte ata për një proces të Brexit-it që “mund të provokonte një kataklizëm të madh”, por “se ata nuk ishin të interesuar ta dëgjonin”.

Negociatorit të BE-së iu dha një vend i rëndësishëm për të folur për përparimin me Brexit dhe të ardhmen e bllokut.

Por, mes një shfaqjeje të habitshme të sjelljeve të këqija, ai u përpoq t’i bënte ta dëgjonin, kur paralajmëroi për nevojën për të luftuar kundër forcave që kërkonin ‘të shkatërronin’ projektin evropian.

“Projekti evropian është i brishtë, është nën kërcënim, por në të njëjtën kohë është jetik”, citohet të ketë thënë ndër tjerash Barnier. /Telegrafi/