Site icon Telegrafi

ASK: Çmimet e konsumit janë ngritur në muajin tetor

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit për muajin tetor 2015, ku thuhej se indeksi i harmonizuar, i tërësishëm, i çmimeve të konsumit në Kosovë është më i lartë për 0.6% në muajin tetor 2015, krahasuar me muajin shtator 2015.

Ngritje e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, sipas ASK-së, vërehet te rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera për 18.8%.

“Ngritje e çmimit të rrymës elektrike për shkak të aplikimit të tarifave dimërore të energjisë elektrike nga 1 tetor 2015 – 31 mars 2016 me një ndikim prej 1.2 % në IHÇK. Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-1.6%); pemë (-9.8%); përdorim të pajisjeve për transportin personal -1.1% (Rënie e çmimit të benzinës dhe naftës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.6% në IHÇK”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.

ASK thotë se indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie -0.8% në muajin tetor 2015, krahasuar me muajin tetor 2014.

“Rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në këtë periudhë ësh të vërejtur te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-1.5%); qumësht, djathë dhe vezë (-2.0%); perime (-5.4%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-5.1%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-4.6%); përdorim i pajisjeve për transportin personal -13.3% (Rënie e çmimit të benzinës dhe naftës); shërbimet për transport -4.4% (Rënie e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-2.0%) në IHÇK. Rënia u neutralizua, kryesisht nga ngritja e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit te nëngrupet: mish (1.9%); vajra dhe yndyra (5.6%); sheqer dhe ëmbëlsira (2.9%); pije alkoolike (12.6%); duhan (9.7%); veshje (1.8%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (2.7%); prodhime dhe pajisje mjekësore (3.2%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.2% në IHÇK”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version