Site icon Telegrafi

Me asistimin e çmendur ndaj Anglisë – tifozët i kërkojnë bordit të Chelseat ta rimendojnë të ardhmen e Lukakut

Romelu Lukaku ka pushtuar rrjetet sociale me asistimin që bëri në barazimin 2-2 të Belgjikës në miqësoren me Anglinë.

Derisa rezultati ishte 1-1, sulmuesi i Chelseat që është në huazim te Roma bëri atë që më së paku pritej.

Në minutën e e 36-të, pas një kundërsulmi të shpejtë nga Belgjika, Lukaku u gjend përballë një lojtari të Anglisë, tek porta e këtyre të fundit.

Mes opsioneve për të dribluar dhe për të gjuajtur vetë, sulmuesi vendosi të bënte një asistim maestral te Youri Tielemans, që realizoi golin e dytë personal në atë ndeshje për rezultatin 2-1.

Përkundër se ndeshja përfundoi 2-2 në këtë miqësore, shumë tifozë të Chelseat kanë kërkuar nga klubi që ta rimendojnë edhe njëherë situatën e Lukakut dhe ta rikthejnë në verë.

Blutë i kanë caktuar çmimin 40 milionë euro Lukakut dhe Roma e ka të pamundur ta paguajë atë shifër, andaj lojtarit me gjasë do t’i mbetet si opsion Arabia Saudite. /Telegrafi/

Exit mobile version