Telegrafi

Asistenti që tentoi t’ia falë dënimin të burgosurit në këmbim të 2,500 eurove, pezullohet nga puna

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se ka pezulluar nga puna Sh.H, asistent në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

“Njësia e inteligjencës e SHKK-së ka pranuar informacioni se i njëjti dyshohet se është i përfshire në marrje te ryshfetit dhe rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës”, ka njoftuar SHKK.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës falënderon Policinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbetet i përkushtuar në luftimin e këtyre dukurive negative dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore ndaj secilit individ, i cili është i përfshirë në veprime të tilla korruptive, pavarësisht rolit dhe funksionit që ka”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Policia e Kosovës pas pranimit të një informacioni, nën dyshimin se një person nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, ka kërkuar të holla nga një i dënuar, kanë filluar ta trajtojnë rastin në aspektin policor.

Lexo po ashtu I kërkoi para të burgosurit për t’ia falur dënimin, zyrtari i burgut kapet nga Policia

Policia njoftoi se 42-vjeçari dyshohet se nga një i dënuar që ishte në vuajtje të dënimit, për t’i mundësuar të njëjtit ‘faljen e një pjesës të mbetur të dënimit’, ka kërkuar si shpërblim 2500 euro.

“I dyshuari gjysmën e kësaj shume e kishte kërkuar tani dhe gjysmën tjetër ‘kur të përfundon punën’”, ka njoftuar Policia./Telegrafi/