Telegrafi

ASHMAA: Pjesa më e madhe e mediave ju përmbahen standardeve profesionale

Raporti i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale (ASHMAA) nga mbikëqyrja e lajmeve në media, për periudhën nga data 6 deri më 15 të këtij muaji tregon se shumica e televizioneve dhe radiove janë përmbajtur brenda standardeve profesionale, disa prej tyre duke mbajtur pozitë kritikuese ndaj pushtetit. Por, siç informojnë nga ASHMAA, në disa shërbime programore vërehen shkelje të këtyre parimeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Konstatimi i përgjithshëm është se përkrah informatave të rregullta ditore, mediat e përpunojnë edhe temën e ‘zgjedhjeve lokale’, duke përdorur qasje tematike, pasi që është periudha e kandidaturave zyrtare partiake për kryetarë komune, përfundoi kontrollimi i Listës zgjedhore, ndërsa afrohet edhe procesi i fillimit të fushatës zgjedhore”, thuhet në kumtesën e ASHMAA-së.

Sipas raportit të ASHMAA, në periudhën e mbikëqyrjes së kryer, Shërbimi i parë programor i RTVM-së – RTVM 1, gjatë informimit për partitë politike, ka qenë plotësisht i përqëndruar te dy partitë më të mëdha – nga pushteti dhe opozita, duke anashkaluar partitë tjera dhe kandidatët e pavarur.

“Mënyra e informimit e Tv Alfa dhe Tv Nova tregon shkeljen e parimit të shfaqjes së ngjarjeve me këndvështrime të ndryshme në mënyrë objektive dhe të paanshme, por vërehen edhe elemente që japin indikacion për lidhje të mundshme të politikave redaktuese – në veçanti trajtimi i temës së refugjatëve, për largimin e investitorëve të huaj nga MAqedonia dhe të tjera”, thuhet në kumtesën e ASHMAA./Telegrafi/