Partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët, përmes një kumtese për media thekson se shqiptarët në Maqedoni asnjëherë më parë nuk kanë qenë në pozitë më të palakmueshme.
Nga ASH thonë se marrëveshjet e fshehta ndërmjet partnerëve të koalicionit kanë zhgënjyer tejmase shqiptarët, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Marrëveshja e arritur ndërmjet BDI-së dhe LSDM-së (2000 – LSDM-së dhe 1000 BDI-së ose 2 me 1) për punësimet në institucionet shtetërore nuk përputhet me përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore. Këtu mund të bëhet një përllogaritje e thjeshtë që BDI do t’i sistemoj të gjithë administratorët që nuk janë sistemuar, kinse punësime të reja kurse në anën tjetër LSDM-ja do të bëj punësime të reja de fakto do të ulet më tepër përqindja e shqiptarëve në institucionet shtetërore”.
“Nëse në vitin 2016 përfaqësimi i shqiptarëve ishte 19,2%, në vitin 2017 ka rënë në 19.1 %, ndërsa 2018 ka rënë në 19%. Sigurt edhe në vitin 2019 ende do kemi rënie. Figurojnë edhe institucione ku vërehet diskriminim total. Kjo është në Agjencinë e filmit. Përfaqësimi i ulët i të punësuarve shqiptarë është edhe në gjyqësor. Në gjykatën supreme, nga 85 të punësuar, ka vetëm 6 gjykatës, të cilët janë të emëruar. Por nuk ka asnjë të punësuar në administratën gjyqësore në pozitat udhëheqëse ose jo udhëheqëse. Përfaqësimi i shqiptarëve këtu është vetëm 7.1 për qind. Fajin e hedhin tek mungesa e kuadrit. Numri i vogël i të punësuarve shqiptar është edhe tek Shoqëria Aksionare për bartjen e energjisë elektrike dhe menaxhimin me sistemin elektro-energjetik MEPSO”, thonë nga ASH.
Ata shtojnë se në shumë institucione financiare përfaqësimi nuk është as 10 për qind të punësuarve shqiptarë./Telegrafi/