Fatih Qaili nga Aleanca për Shqiptarët në konferencë për shtyp tha se më në fund pas një dekade zvarritje e keqpërdorime, përfundimisht u rihap Teatri i Shkupit.
“Urime të gjithë artistëve dhe artdashësve, atyre që për një dekadë e kanë pritur këtë ditë dhe për aq kohë u është ndaluar hyrja në këto dyer. Sot jemi këtu për t’ju thënë se u ndalohet hyrja funksionarëve të lartë të BDI-së, që për më shumë se një dekadë mbajtën peng këtë kështjellë të kulturës shqiptare. I kemi parë në shumë raste duke keqpërdorur ngjarje sportive, kulturore e madje edhe manifestime të fëmijëve edhe pse nuk kanë pasur as të drejtë e as ndonjë meritë për ato ngjarje”, tha Qaili.
Ai shton se funksionarët e BDI-së përveç se nuk kanë meritë për këtë rihapje, kanë edhe faj për vonesën për më shumë se një dekadë.
Kanë faj për keqpërdorimet e parave të qytetarëve, për lënien pa punë artistët dhe pa shfaqje artdashësit. Ata kanë edhe faj të madh kombëtar, faj për shkatërrimin e kulturës shqiptare me çdo veprim dhe vendim”, deklaroi Qaili.
Sipas tij, funksionarët e BDI-së janë shkatërrues të kulturës shqiptare dhe se duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Për ju nuk ka vend në ulëset e Teatrit, por në bankat e të akuzuarve”, pohoi Qaili./Telegrafi/