Nga partia opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët shprehet se pa asnjë pretekst konkret dhe në mënyrë jo njerëzore, pjestarë të njësitit policor “Tigrat”, ditëve të fundit, kanë rrahur e keqtrajtuar të rinjtë shqiptarë në Shkup, duke u shkaktuar plagë të rënda dhe duke u lënë pasoja afatgjate.
“Fatkeqësisht, të gjitha këto rrahje e keqtrajtime përsëriten në vazhdimësi dhe askush nuk jep asnjë sqarim për to. Si në rastin e fundit, ashtu dhe në rastet e tjera, policia nuk ka dëshmuar as veprime të paligjshme, as ndonjë sulm ndaj zyrtarëve policorë, si arsye për këtë sjellje, madje disa raste nuk janë as të regjistruara në buletinin policor. Me këto veprime, njësiti policor “Tigrat”, cili deri më tani ishte i ndaluar për shqiptarët, tani po bëhet edhe i rrezikshëm për ta”, thonë nga ASH.
Nga ASH ftojnë ministrin Spasovski dhe zëvendësin e tij Nazim Bushin që fillimisht të marrin masa për të parandaluar dhunën e policisë dhe më pas të zbardhin rastet e regjistruara deri më tani për t’i dënuar policët që kanë përdorur metoda të dhunshme.
“Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër këtë sjellje të policisë dhe sigurojmë se për këtë dukuri do t’i njoftojmë të gjithë organizmat ndërkombëtarë. Policia duhet të jetë aty për t’i mbrojtur dhe jo për t’i frikësuar e dhunuar qytetarët”, thuhet në fund të reagimit të ASH-së./Telegrafi/