Pas publikimit të vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, me të cilin refuzojnë kërkesën e sopotasve për dëmshpërblim, ka reaguar partia Aleanca për Shqiptarët.
Nga kjo parti thonë se të burgosurit e rastit të Sopotit, nuk kanë me as jetë e as shpresë të enden nëpër gjykata për ta kërkuar dëmshpërblimin. Sipas kësaj partie, dëmshpërblimin atyre duhet tua kompensojë Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Kjo Ministri e Drejtësisë që është pjesë e Qeverisë së LSDM dhe BDI-së, nuk e njeh as ligjin, as Kushtetutën madje as Konventat ndërkombëtare të institucioneve të Drejtësisë që sigurojnë të drejtën e dëmshpërblimit atëherë kur gjykata vendos për pafajësinë e tyre. Qeveria LSDM dhe BDI sado që të bëjë fushatë për BE dhe NATO, në mendësinë e saj e ka mentalitetin nënçmues dhe montues për të sabotuar dhe dënuar qytetar të pafajshëm vetëm në këtë formë për t’i mbuluar krimet dhe korrupsionin e tyre që në vazhdimësi e kanë karakterizuar qeverisjen, ku BDI ka qenë pjese e saj për më shumë se 15 vite”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Ata në fund i bëjnë thirrje Ministrisë e Drejtësisë dhe Qeveria, urgjentisht t’ua kompensojë dëmshpërblimin ish të burgosurve të në rastin “Sopoti”./Telegrafi/