Telegrafi

ASH krahu i Selës: Urime deputetit të VV-VLEN sjelljen e policisë serbe në Ohër

Pas një fshehje dhe heshtje të çuditshme ndaj të gjitha vendimeve të Qeverisë jo legjitime, deputeti i Vetëvendosjes-VLEN, Bekim Qoku, solli diçka të “madhe” për qytetin e tij dhe shqiptarët në përgjithësi, thuhet në reagimin e ASH-së krahu i Selës.

“Falë Qeverisë dhe ndryshimit që solli ky deputet dhe koalicioni ku ai bën pjesë, pas 35 viteve policia sërbe do të patrullojë lirshëm në Ohër, me kompetenca që të reagojë ndaj qytetarëve të saj që do vizitojnë Ohrin për pushime. Duke pasur parasysh deklaratën e ministrit Ivica Daçiç (i cili paralajmëroi edhe hyrjen e policisë), se Sërbia e njeh Kosovën si territor të vetin, kjo nënkupton se në Ohër do të kenë të drejtë të arrestojnë çdo shqiptar të Kosovës të cilin Sërbia e kërkon për luftën e vitit 1998-99.

Kërkojmë publikisht që për këtë të prononcohet edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit kryetar i Bekim Qokut dhe mbështetës i koalicionit jolegjitim që aktualisht është pjesë e Qeverisë e cila na e riktheu Sërbinë në RMV.

A pajtohet dhe a mbështet Kurti këtë vendim, a do ta mbajë deputetin e tij ende në këtë Qeveri dhe a e sheh këtë rast në përputhje me politikat e Qeverisë dhe partisë që i drejton?”, akuzojnë nga ASH./Telegrafi/