Telegrafi

ASH e përkrah propozimin që Afrim Gashi të jetë mandatar për Qeverinë e re

Aleanca për Shqiptarët e përkrah propozimin e Hristijan Mickoskit, i cili e propozoi Afrim Gashin për mandatar.

Nënkryetari i ASH-së, Elmi Aziri sot në Kuvend tha se me siguri Mickoski ka parë kapacitete te Afrim Gashi që mundet t’i zgjidh të gjitha çështjet.

“Sigurisht z.Mickoski ka parë kapacitete te z.Afrim Gashi për ta zgjidhur edhe problemin e bllokadës nga ana e BE-së, edhe për zgjidhjen e çështjeve ekonomike, shëndetësore etj etj… Dhe e ka bërë një propozim të tillë, sigurisht që ne do ta përkrahim”, tha Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshe, Hristijan Mickoski deklaroi sot se do të mbështeste propozimin që Afrim Gashi të jetë mandatar i ri në vend të Dimitar Kovaçeskit.

Mickoski madje u zotua se do të ndihmonte në sigurimin e votave të nevojshme që ky propozim të kalonte pa ndonjë problem.

Ndërsa nga Alternativa e Afrim Gashit, e falënderuan Mickoskin, por tha në se “ata aktualisht është në një proces i cili vijon dhe ende nuk ka përfunduar”./Telegrafi/