Aleanca për Shqiptarët ka reaguar sot pas vendimit të Gjykatës Supreme për refuzimin si të pabazë të padisë për shpifje të Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit ndaj Sllobodan Bogoevskit lidhur me dëshminë e këtij të fundit për rastin “Maxhar Telekom”.
Nga kjo parti thonë se edhe përkundër vendimit të Gjykatës Supreme, ende vlerësojnë se gjykatat në vend janë të politizuara.
“Kujtojmë se akuzat për shpifje kanë qenë drejtpërdrejt për dëshminë e Bogoevskit në Gjykatën e Nju Jorkut, që nënkupton se gjykata i ka dhënë të drejtë Bogoevskit dhe ka refuzuar dy të akuzuarit, Ahmetin dhe Xhaferin. Ne mbetemi në qëndrimin se gjykatat në vend janë të politizuara, por kësaj radhe sharra ju zuri në gozhdë, sepse përballë kanë drejtësinë amerikane. Kësaj drejtësie nuk do të mund t’i ikni, ndërsa përveç politikanëve të korruptuar, së shpejti përgjegjësi do të mbajnë edhe ata gjykatës e prokurorë që kanë zvarritur, fshehur e amnistuar krimet e tyre”.
“Këto ditë, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, paralajmëroi se lista e zezë amerikane do të plotësohet edhe me emra të tjerë të politikës nga vendet e Ballkanit. Të jeni të bindur se nga kjo drejtësi nuk do të mund të ju shpëtojnë as Swarovski dhe as Luis Viton gjykatësit e prokurorët. Drejtësia do t’i godet edhe arushat e mbrojtura të BDI-së nga regjimet e njëpasnjëshme në vend”, tha Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët.