Site icon Telegrafi

ASH-Alternativa kërkojnë nga ambasadori shqiptar Reka të reagojë ndaj shkrimeve në libra kundër shqiptarëve

Nëpërmjet një njoftimi të koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë që shteti shqiptar të reagojë ndaj teksteve ofenduese ndaj shqiptarëve duke thënë se se “kanë kaluar më tepër se dy javë nga dita që i kemi nisur letër Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Fatos Reka, në lidhje me çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shtetit dhe popullit shqiptar”.

“Fatkeqësisht, edhe përkundër kësaj nisme por edhe obligimeve të dala nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, na duhet të konstatojmë se Tirana zyrtare vazhdon të heshtë karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut.

Për këtë shkak, koalicioni publikoi edhe letrën drejtuar më 19 shkurt ku kërkohet që kjo çështje të ngritet lartë në agjendën e MPJ-së shqiptare.

Siç kishte shkruar Aristoteli në Etikën e Nikomakut, “miqtë dhe vërteta na janë të dashur njësoj, por është detyrë e jona t’i japim përparësi së vërtetës.” Nisur nga ky parim, vlerësojmë se Republika e Shqipërisë e ka për detyrë si vend mik i Republikës së Maqedonisë së Veriut që të trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik midis dy vendeve. Gjetja e një zgjidhjeje që i kontribuon rritjes së mirëbesimit midis dy kombeve është në frymën e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore që do duhej të promovonin dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e koalicioni ASH-AAA.

Më poshtë e keni letën e dërguar ndaj ambasadori Fatos Reka

“Po ju drejtohemi në emër të opozitës shqiptare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe si
Koalicion Aleanca për Shqiptarët – AlternAtivA, për të kërkuar veprim të shtetit shqiptar në lidhje me
çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave të tjera të shtetit dhe popullit shqiptar,
të kthyera në vëmendjen e opinionit mbarëshqiptar pas debatit që kemi nxitur rreth përmbajtjes së librit
të Gjeografisë për vitin e dytë të gjimnazit të reformuar.

Pa hyrë në detajet e manipulimeve dhe të pavërtetave historike, të përhapura nga ky material, me të cilat
besojmë se tanimë jeni i njoftuar, vlen të theksohet se, përpos fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj popullit
shqiptar, narrativi shovinist që ai mbart në vete cenon drejtpërdrejt edhe vetë shtetin shqiptar, i cili
paraqitet si okupator i Maqedonisë së Veriut, ndërsa populli shqiptar përshkruhet si pushtues dhe autor i
shumë atrociteteve ndaj popullatës vendase maqedonase, duke mohuar në të njëjtën kohën autoktoninë
e shqiptarëve në këto anë.

Siç e dini, ky material nuk është rast i izoluar. Ka edhe dhjetëra, ndoshta qindra, shembuj të tjerë të gjuhës
së urrejtjes ndaj Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarëve si komb në materialet shkollore dhe akademike
në përdorim në vendin tonë.

Përkundër heshtjes së partive shqiptare në pushtet gjatë dy dekadave të fundit, ne si opozitë shqiptare
kemi hapur debat shoqëror përmes protestës dhe kemi kërkuar nga ministria përgjegjëse tërheqjen e librit
të Gjeografisë, në bazë të legjislacionit në fuqi, por kjo nuk mjafton. Problemi është shumë më i gjerë dhe
ne vlerësojmë se duhet të bëhet rishikimi i tërësishëm i materialeve shkollore dhe akademike të botuara
nga institucionet publike dhe të financuara nga tatimpaguesi.

Andaj, nisur nga kjo gjendje si dhe nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vlerësojmë se
Republika e Shqipërisë duhet ta thotë fjalën e saj karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe
gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë
së Veriut.

Prandaj kërkojmë nga ju që do të ngrini këtë çështje lart në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme
Shqiptare dhe të kërkoni adresimin e saj në kuadër të dialogut politik midis dy vendeve, për të gjetur
zgjidhje që i kontribuon rritjes së mirëbesimit midis dy kombeve dhe marrëdhënieve të
mira ndërfqinjësore, që do duhej t’i promovonin dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidate për
anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet në fund të letrës./Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version