Site icon Telegrafi

ASH-AAA: Vendimi i Qeverisë për turistët serb është skandaloz

Partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së RMV-së që shtetasit serb t’i lirojë nga pagesat rrugore, gjatë sezonit veror.

Nga ASH dhe AAA këtë vendim të Qeverisë e vlerësojnë si skandaloz dhe diskriminues ndaj qytetarëve të vendeve tjera fqinje, por edhe qytetarëve të vendit.

“Me vendimin për të ndarë 200.000 vauçerë për lirimin nga pagesa rrugore për turistët nga Serbia, Qeveria diskriminon të gjithë fqinjët e tjerë nga të cilët vendi poashtu ka pasur përfitime, bashkëpunim dhe raporte të mira fqinjësore. Për këta vauçerë Ministria e Financave do të shpenzojë gati 3 milion euro, para të taksapaguesve vendor, të cilët duhet të paguajnë tani çmimin e lëmoshës nga Serbia që erdhi si pasojë e paaftësisë së Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar vaksina kundër KOVID19”.

Lexo po ashtu Maqedoni: Në kartelat për turistët serb do të ketë nga 760 denarë

“Nga ana tjetër, banorë të fshatrave për rreth autostradave detyrohen për çdo ditë të paguajnë pagesën rrugore për distanca të shkurtra gjatë lidhjes me qytetin”, thuhet në njoftimin e ASH-AAA.

Ata i bëjnë thirrje Qeverisë që urgjentisht të ndryshojë këtë vendim.

“Në radhë të parë duhet të gjendet zgjidhje e përhershme për banorët lokal që paguajnë edhe pse nuk shfrytëzojnë autostradat. Ndërkaq, gjatë sezonit turistik, nga pagesa rrugore të lirohen shtetasit e të gjitha vendeve fqinje, nëse destinacion kanë qendrat turistike në vend, por jo edhe ata që vetëm tranzitojnë për të shkuar në vende të treta”, thonë nga ASH-AAA./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version