Në të gjithë territorin vijon operacioni anti-drogë me qëllim kontrollin për të parandaluar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike. Burime bëjnë me dije se së fundmi policia është fokusuar në malësinë e Krujës dhe në veriun e Shkodrës.
Në Krujë po ushtrohen kontrolle në zonat e Katundit, Brretit, Mafsheqit, Bruzit, si dhe në Malësia e Krujës. Në këto zona mësohet se janë kapur disa rrënjë kanabis në fazë të rritur.
Ndërsa në Shkodër janë bërë disa ndërhyrje që prej ditës së martë, ku policia u nda në disa grupe kontrolli. Kryesisht kontrollet janë bërë në zonat e Dukagjinit dhe mësohet se janë asgjësuar mbi 1 mijë rrënjë kanabis në fazë gati për vjelje.
Në qarkun e Lezhës u asgjësuan 1541 bimë narkotike cannabis sativa të cilat ishin të kultivuara në fshatrat Buten, Zimaj dhe në Velë.
Në mbështetje të policisë janë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërsa operacioni antikanabis vijon. /Telegrafi/