Kanë hyrë në fazën përfundimtare shumë projekte të ndërtimit të infrastrukturës rrugore në Komunën e Podujevës. Në kuadër të kësaj janë duke u asfaltuar disa rrugë në lokalitete të ndryshme.
Për të përcjellë nga afër realizimin e projekteve, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka inspektuar sot punimet në asfaltimin e rrugës që lidh “Lagjen e Dëshmorëve” me fshatin Surkish dhe rrugën rajonale Podujevë-Shajkoc.
Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari Veliu tha se kompletimi i infrastrukturës rrugore në tërë territorin e Komunës së Podujevës vazhdon të jetë prioritet në investimet kapitale.
“Tashmë jemi në fazën e kompletimit të asfaltimit të rrugëve pothuaj në të gjitha vendbanimet, prandaj projektet e planifikuara për sivjet janë në fazën përfundimtare”, tha Veliu.
Kryetari Veliu kërkoi nga kompanitë punëkryerëse të respektojnë afatet e kontratës për dinamikën e realizimit të projekteve në të gjitha rrugët ku janë duke u kryer punimet.
“Me realizimin e këtyre projekteve po përmbushim zotimin e bërë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në çdo lokalitet, gjë që mundëson qarkullimin dhe lëvizjen më të mirë qytetarëve”, tha kryetari Veliu, me rastin e inspektimit të punimeve në asfaltimin e rrugës, ku shoqërohej nga Kryesuesi i Kuvendit, Mehmet Gashi.
Këto ditë janë asfaltuar edhe disa rrugica në qytet që lidhen më Rruët “Skenderbeu” , “Ali Ajeti”, “Brigadat”, si dhe rrugët në fshatrat Gllamnik, Shtedim, Dobërdol, Majac, Lupç i Poshtëm dhe janë në fazën përfundimtare për asfaltim edhe disa rrugë të tjera. /Telegrafi/