Në mesin e futbollistëve më të mirë në botë, te Reali i Madridit nuk e kishin imagjinuar se një tjetër talent do të spikaste kaq shpejt mes Gareth Bale e Cristiano Ronaldo, por nga debutimet skeptike Marco Asensio është kthyer në një siguri.
Çfarëdolloj gare ku Los Blancos marrin pjesë, talenti ofensiv tregon se di të shënojë, ashtu siç bëri edhe në Superkupën e Spanjës ndaj Barcelonës në Camp Nou.
Asensio është beniamini i ri i Zinedine Zidane, por jo vetëm kaq, konsiderohet si e ardhmja e futbollit spanjoll dhe simbol i kursit të ri të Merengues.
Reali ia rrëmbeu këtë talent Barcelonës për 3.5 milionë euro dhe sulmuesi i kamufluar ngjiti hierarkitë e repartit ofensiv më shpejt sesa duhet për një 20-vjeçar, transmeton TCH.
La Liga, Liga e Kampionëve, Kupa e Mbretit apo dy Superkupat. Futbollisti i Mbretërve shënon gjithmonë, sa herë i jepet mundësia të debutojë në një ndeshje zyrtare.
E fundit ishte perla në tempullin katalanas ndaj Barcelonës, që ua jep ‘galaktikëve’ të jenë shumë afër trofeut të radhës.
Një paralele të ngjashme me Asension mund të hiqet edhe me talentin anglez, Marcus Rashford.
Sulmuesi shënoi në Evropë, në Ligën Premier, në derbin e Mançesterit dhe në FA Cup ndaj West Ham, madje edhe në debutimin me kombëtaren angleze, në sfidën ndaj Australisë.