Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prishtinë theksoi se pas shpërthimit të aferave korruptive në qeverisjen e Shpend Ahmetit, partinë Vetëvendosje po e braktisin edhe asamblistët e vet në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Asamblisti i ri i Vetëvendosjes, Misim Bajrami, sot i është bashkuar Partisë Demokratike në Prishtinë.
Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë në marrëveshje me anëtarët e tjerë të pikës së Vetëvendosjes në Hajvali, e cila është shumë e pakënaqur me qeverisjen e Shpend Ahmetit.
“Pakënaqësia e banorëve të Hajvalisë me qasjen e Vetëvendosjes në Prishtinë dhe skandalet e tyre, të cilat kanë shpërthyer këto javë, më kanë bërë që të reflektojë dhe t’i bashkohem PDK-së, e cila është opozitë në Prishtinë. Unë si asamblist dhe si pjesë e deritashme e Vetëvendosjes turpërohem me punësimet partiake të militantëve të dhunshëm të tyre në Ndërmarrjet Publike, me aferat korruptive në sektorin e ndërtimeve, me degradimin e arsimit dhe me injorimin e vazhdueshëm të kuadrove nga Prishtina. Pra, ndjehem i tepërt të vazhdojë të qëndrojë më tutje si pjesë e një partie, e cila me taksat e qytetarëve të Prishtinës financon aktivitetet e kundërligjshme të grupeve të dhunshme të tyre”, ka thënë asamblisti i deritashëm i Vetëvendosjes.
Bajrami u shpreh i dëshpëruar, sepse, siç tha ai, bashkë me shumë të tjerë ishte angazhuar në Vetëvendosje duke besuar në ndryshim, por jo në një ndryshim për jetën dhe luksin e shefave të Vetëvendosjes, por në një ndryshim shoqëror të përgjithshëm.
Ndërsa, kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj, me kalimin e Bajramit në Partinë Demokratike të Kosovës, ka thënë se tash janë partia e dytë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Çelaj ka thënë se derisa qeverisja e Shpend Ahmetit, e cila administratën e ka mbushur përplot me militantë të dhunshëm të Vetëvendosjes, kurse taksat e prishtinasve ua ka dhënë kompanive të afërta me Vetëvendosjen, është munduar edhe t’i blejë asamblistët e PDK-së në Prishtinë dhe nuk ka arritur, asamblistët e Vetëvendosjes të zhgënjyer prej tyre po i bashkohen Partisë Demokratike në Prishtinë. /Telegrafi/