Telegrafi

Asamblisti i LVV-së në mesin e të arrestuarve në Shqipëri, dyshohet se u kapën me mbi 10 mijë doza ekstazi

Policia e Shtetit në Tiranë ka arrestuar sot pesë persona për trafikim me lëndë narkotike, ndërkaq në mesin e të arrestuarve dyshohet të jetë edhe Besnik Mujeci, asamblist i lëvizjes Vetëvendosje.  

Policia e Shtetit në njoftimin e bërë për media thekson se ata janë kapur me 11 300 tabletash ekstazi MDMA, vlera e të cilës arrin 400 mijë euro, transmeton Telegrafi.

“Pamje gjatë operacionit policor të koduar “Punisher 2”, gjatë të cilit u arrestuan shtetasit Mithat Ramadani 30 vjeç dhe Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë. Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugëve “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro”, njofton Policia e Shtetit.

Policia ka njoftuar se “nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, ata transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare”.

Lidhur me rastin, Telegrafi ka tentuar të marrë një konfirmim nga partia e Mujecit, por që të njëjtit deri tani nuk janë përgjigjur. /Telegrafi/