Site icon Telegrafi

Asamblistët në veri të Mitrovicës vendosin për hapjen e urës mbi lumin Ibër, Lista Serbe paralajmëron incidente

Kuvendi Komunal në Mitrovicën Veriore të premten ka marrë vendim për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Një vendim i tillë ka ardhur pas propozimit të delegates Aida Doli për hapjen e urës dhe qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.

E pas vendimit të kuvendit komunal të veriut të Mitrovicës, ka reaguar edhe Lista serbe, të cilët kërkuan që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të pengojnë zbatimin e këtij vendimi.

“Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të ketë incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe synimi i Prishtinës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Më tej thuhet se ky vendim do të ketë pasoja të mëdha për paqen, sigurinë dhe bashkëjetesën në atë zonë.

Ndryshe, më 23 prill u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të Mitrovicës së veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit dhe tashmë kryetarët e zgjedhur do të udhëhiqen me këto komuna.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve u certifikua sot nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.  /Telegrafi/

Exit mobile version