Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës, ka njoftuar se asamblistët e tyre do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit Komunal në Prishtinë, ku pritet të zgjedhet Kryesuesi i këtij Kuvendi.
LVV në njoftimin e bërë për media thekson se, nuk do të jetë bllokuese e proceseve, prandaj do të qëndrojnë në sallë gjatë procesit të votimit, transmeton Telegrafi.
“Edhe pse subjekti më i madh dhe me të drejtën e propozimit të kandidatit për kryesues, LVV nuk do ta shfrytëzojë këtë mundësi dhe ja kalon radhën subjekteve që bashkërisht i fituan zgjedhjet në Kryeqytet me 14 nëntor. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të jetë bllokuese e proceseve, por as nuk do të ju bëjë shërbime subjekteve tjera. E, megjithatë ne do të qëndrojmë në sallë gjatë procesit të votimit”, thuhet në njoftim.
Më tej, LVV thotë se mbetet përgjegjësi e kryetarit të zgjedhur dhe subjektit të tij që t’i arrijnë numrat e nevojshëm për ta përfunduar procesin e konstituimit, që sipas tyre është edhe ashtu i vonuar, të Kuvendit Komunal.
Ndryshe, sot asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës do të mblidhen për të zgjedhur kryesuesin, ndërsa nëse i njëjti nuk zgjidhet sot, Kuvendi Komunal i Prishtinës shkon në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
Pavarësisht se ka numrin më të madh të asamblistëve Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
LDK në zgjedhjet për asamble komunale ka arritur që të sigurojë 14 vende, por kjo nuk është e mjaftueshme për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit Komuna
LDK-së i nevojiten edhe të paktën 12 vota nga subjektet tjera politike për të zgjedhur kryesuesin e Kuvendit.
Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet më së largu 30 ditë pas betimit të anëtarëve të asamblesë. /Telegrafi/