Site icon Telegrafi

Art Motion: Do të ankohemi ndaj vendimit të kundërligjshëm të MINT, s’e ndalim veprimtarinë

Kompania Artmotion sh.p.k. ka njoftuar se do të ushtrojë ankesë ndaj vendimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Kjo pasi kompania Artmotion është e bindur se vendimi për shfuqizim të certifikatës së biznesit nga ana e MINT është marrë pa asnjë bazë ligjore.

“Vendimi i MINT për shfuqizimin e certifikatës së biznesit është marrë pa asnjë bazë ligjore, rrjedhimisht si i tillë është i kundërligjshëm. Prandaj, Artmotion do të shfrytëzojë të drejtën e saj të ankimimit në të gjitha instancat ligjore, duke besuar fuqishëm që e drejta do të vërtetohet nga institucionet përkatëse dhe kjo çështje do të mbyllet sa më shpejt, në mënyrë që fokusi ynë kryesor të jetë rritja e nivelit të shërbimeve dhe natyrisht kënaqshmërisë së konsumatorëve tonë me shërbimet tona”, thuhet në reagimin e Artmotion.

Kompania Artmotion thotë se do të vazhdojë të ushtrojë veprimtarinë e saj me përkushtim maksimal the natyrisht do vazhdojë të ofrojë të gjitha shërbimet e saja pa ndërprerje dhe me normalitet.

“Artmotion ju siguron që veprimtarinë e saj e ka të regjistruar dhe e ushtron në përputhje të plotë me të gjithë kornizën ligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës, është një ndër operatorët më të mëdhenj në vend dhe këtë pozitë në tregun e shërbimeve të telekomunikimit e ka fituar me punë, përkushtim dhe dedikim maksimal të mbi 200 punëtorëve dhe qindra bashkëpunëtorëve të saj për më shumë së 15 vite”, theksohet në reagim.

“Ju njoftojmë që Artmotion vazhdon të ushtrojë veprimtarinë e saj me përkushtim maksimal the natyrisht do vazhdojë të ofrojë të gjitha shërbimet e saja pa ndërprerje dhe me normalitet”, ka përfunduar reagimi i Art Motion. /Telegrafi/

Exit mobile version