Një nga njerëzit më të kërkuar në Itali, mafiozi Rocco Morabito, ka mbërritur në Romë pasi u ekstradua nga Brazili, ku kishte qenë i fshehur.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, i njohur si “mbreti i kokainës së Milanos”, Morabito u arrestua në maj të vitit të kaluar në një operacion të përbashkët të policisë braziliane dhe italiane.
Kështu, 55-vjeçari do të vuajë dënimin me 30 vite burg për trafik droge.
Bosi i mafias kaloi dekada në arrati duke përdorur një identitet të rremë në Amerikën e Jugut.
Policia më në fund e gjeti vitin e kaluar në João Pessoa, një qytet port në Brazilin verilindor, ku ai u arrestua së bashku me një tjetër anëtar të grupit mafioz Ndrangheta, Vincenzo Pasquino.
Pasquino që atëherë është dënuar me 17 vjet burg për trafik droge.
“Artisti i arratisjes”
Siç vë në pah BBC, mbërritja e Rocco Morabito në Romë i jep fund një kërkimi prej dekadash.
I lindur në qytetin kalabrez të Afriko dhe me lidhje familjare me bosin mafioz Giuseppe Morabito, Rocco Morabito u bë një figurë kyçe në Ndrangheta, rrjeti i përhapur kriminal që kontrollon pjesën më të madhe të trafikut të kokainës në Itali dhe më gjerë.
Si i ri, Morabito shpejt bëri emër si një trafikant droge në Milano, duke krijuar rrugë kyçe të kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut në qytetin italian.
Me stilin e veçantë të veshjes, ai shumë shpejt ra në vëmendjen e policisë italiane, e cila e vuri nën vëzhgim.
Ai u regjistrua duke u përpjekur të ndërmjetësonte marrëveshje për të importuar më shumë se një ton kokainë nga Amerika e Jugut, por u zhduk menjëherë më pas.
Policia mendon se ai iku në Brazil, ku jetonte me emrin e supozuar Francisco Capeletto.
Nga atje, ai u zhvendos në Uruguain fqinj, ku jetoi në vendpushimin e Punta del Este për të paktën 13 vjet.
Ndërsa ai kishte marrë me qira një shtëpi luksoze, duke e mbushur me vepra arti, fqinjët thanë se ai ngiste një makinë modeste dhe vetëm kur ai organizoi një festë luksoze për ditëlindjen e vajzës së tij, ata morën vesh për pasuritë e tij.
Por pikërisht kur Morabito e regjistroi vajzën e tij në shkollë me emrin e saj të vërtetë, policia e vuri nën vëzhgim.
Në shtator 2017, kur Morabito u zhvendos në një hotel në kryeqytet, Montevideo, pasi kishte pasur një sherr me gruan e tij, policia “u sul drejt tij”.
Ndër pasuritë e tij, ata gjetën një armë, 13 telefona celularë dhe 150 fotografi të Morabito-s me madhësi të pasaportës.
Megjithatë, ditët e tij në arrati nuk kishin mbaruar ende.
Në vitin 2019, pasi kishte kaluar dy vjet në burg në pritje të ekstradimit në Itali, ai u arratis së bashku me tre të burgosur të tjerë nga një vrimë në çati.
Si pjesë e një operacioni policor shumëkombësh të udhëhequr nga Interpoli që synonte të luftonte ‘Ndrangheta’, ai më në fund u gjurmua në një hotel në qytetin e João Pessoa në vitin 2021.
Gjykata e Lartë Federale e Brazilit autorizoi ekstradimin e tij në Itali javën e kaluar. /Telegrafi/