Telegrafi

“Arti” i vjedhjes përmes tenderëve: Korrupsioni i planifikuar

“Prokurimi është art”, thotë një zyrtar i Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me kaq e mbyll këtë muhabet.

Njohja e këtij arti u ka dhënë mundësi biznesmenëve të fitojnë miliona euro nga tenderë të dyshimtë, por të mbuluar mirë me letra. Dyshime për përfitime të mëdha ka për zyrtarët që dizajnojnë një tender, shkruan sot Koha Ditore.

Ata paraprakisht e hartojnë dosjen e tenderit duke ia përshtatur kompanisë që e kanë në plan ta shpallin fituese. Kriteret i përshtaten kompanisë që duan t’ia japin tenderin. Gjatë vitit 2013 janë realizuar gjithsej 12 mijë e 551 kontrata publike.

Institucionet qeveritare i kanë nënshkruar 9 mijë e 682 kontrata në vlerë prej 348 milionë e 631 mijë eurosh. Kurse kompanitë publike kanë nënshkruar 2 mijë e 839 kontrata në vlerë prej 93 milionë e 626 mijë eurosh. Në total, janë shpenzuar 444 milionë përmes tenderëve publikë.

Kampion i tenderëve është Ministria e Infrastrukturës, e cila gjatë vitit 2013 ka nënshkruar kontrata në vlerë prej 62 milionë eurosh.

Kjo ministri pasohet nga KEK-u, që vetëm gjatë vitit 2013 ka shpenzuar 50 milionë euro përmes tenderëve. Komuna e Prishtinës gjatë vitit 2013 ka nënshkruar kontrata në vlerë prej 25 milionë eurosh, më shumë se secila ministri me përjashtim të asaj të Infrastrukturës.

Gjysma e këtyre tenderëve besohet se janë të kurdisur. Një vlerësim të tillë e ka dhënë në një intervistë për “Kohën Ditore” Nexhat Shabani, ish-anëtar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Viteve të fundit janë nënshkruar një numër i madh kontratash njëburimore. Komisioni i Pavarur i Mediave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PTK-ja në rastin e shërbimit 3G, KEK-u etj. janë kampionë të këtyre kontratave.

Nexhat Shabani për pesë vjet e pesë muaj është marrë me tenderë si anëtar i Komisionit Rregullativ i Prokurimit Publik (KRrPP) dhe si kryetar i Komisionit për ankesa.

Aty ka mësuar gjithë hilet e dhënies së tenderëve, të kurdisur dhe të planifikuar se kujt do t’i jepen.

“Gjithmonë, kur e dinë që do të kenë një aktivitet të prokurimit, ata para se ta shpallin tenderin hulumtojnë se kujt duhet t’ia japin”, thotë Shabani, ish-anëtar i KRrPP-së.

Ai është i bindur se minimumi 50 për qind të tyre jepen me paramendim dhe dihet paraprakisht se kush do ta fitojë tenderin.

Shabani, që tash punon si avokat, këtë pozitë e ka pasur nga viti 2005 deri në 2010. /Koha Ditore/