Menaxheri i Arsenalit, Mikel Arteta e ka pranuar se klubi po përpiqet të bindë mesfushorin Granit Xhaka që të marrë vaksinën kundër COVID-19.
Xhaka refuzoi vaksinimin para testimit pozitiv për virusin gjatë pushimit ndërkombëtar.
Menaxheri i tij i klubit pranon se lojtarët që nuk marrin vaksinën së shpejti mund ta gjejnë veten të kufizuar pasi thuajse të gjithë janë të vaksinuar.
“Ne po përpiqemi të shpjegojmë të gjitha arsyet pse besojmë se kjo është gjëja e duhur për të bërë”, ka thënë fillimisht Arteta.
“Para së gjithash ai do ta mbrojë klubin, dhe së dyti shokët e skuadrës, ambientin ku ata ndodhen dhe ekspozimin që do të kenë nëse nuk e bëjnë atë”.
“Ne duhet të jemi në të njëjtën linjë dhe të kuptojmë të gjitha faktet. Faktet personale që dikush mund të ketë janë për shumë arsye të ndryshme. Ndoshta janë arsye shëndetësore, një kontradiktë që ai ka, mënyra se si është edukuar ose diçka që ai beson”.
“Gjëja tjetër është – çfarë është më e mira për klubin dhe ekipin që të përpiqen të minimizojnë çdo rrezik që lojtari të kontraktojë virusin ose t’ia kalojë atë dikujt tjetër?”.
“Por kjo është një çështje personale, jo një detyrim, dhe ne duhet ta respektojmë atë”.
“Natyrisht, do të kufizojë disa aspekte nëse nuk (vaksinohen), sepse ne nuk duam të ekspozohemi në gjëra të caktuara”.
“Për shembull, udhëtimi. Nëse ata nuk janë të vaksinuar dhe udhëtojnë ose shoqërohen në situata të caktuara, padyshim që rreziku rritet shumë”.
“Ne nuk duam atë ekspozim me asnjë nga lojtarët tanë. Sepse, në fund, skuadra dhe klubi do të paguajnë çmimin”, përfundoi trajneri i Arsenalit. /Telegrafi/