Site icon Telegrafi

Arteta refuzon ta akuzojë gjyqtarin: Fajin për humbjen e ka skuadra e Arsenalit

Mikel Arteta (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Mikel Arteta ka thënë se Arsenali është dashur t’ia kthente motivimin portierit Bernd Leno, gabimi i të cilit u kushtoi me humbje skuadrës së tij nga Chelsea.

Topçinjtë ishin në epërsi më golin e Pierre-Emerick Aubameyang, mirëpo Blutë e fituan ndeshjen me dy gola të shënuar brenda shtatë minutash në fraksionin e dytë.

“Ai do të jetë i zhgënjyer. Kur një gabim i kushton me pikë skuadrës, është më rëndë. Duhet ta motivojmë”, ka thënë Arteta lidhur me gabimin e portierit.

Mikel Arteta (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Edhe pse pati akuza për vendime kundërthënëse, sipas të cilave Jorginho është dashur të ndëshkohej me kartonin e dytë të verdhë, trajneri refuzoi ta fajësonte gjyqtarin Craig Pawson.

Sipas tij, fajtorë për humbjen janë vetëm lojtarët e tij dhe ata duhet ta marrin përgjegjësinë për gabimet që i kanë bërë.

“E fajësoj skuadrën time. Ne jemi përgjegjës për gjithçka që gabuam në fushën e futbollit”, ka thënë Arteta më tej. /Telegrafi/

Exit mobile version