Deputeti i BDI-së Artan Grubi, ka thënë se propozimi për shkarkimin (mbajtje të përgjegjësisë) për presidentin Gjorge Ivanov është përgatitur, por pritet momenti i duhur për ta dorëzuar në Kuvend.
Ai tha se Ivanovi udhëheq një pjesë të vogël të atyre që janë kundër integrimit euroatlantik të vendit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Vazhdon politika fëmijërore e Ivanovit dhe më vjen keq për këtë, por duhet t’i bind qytetarët se nuk do të lejojmë që një uzurpator që nuk ka legjitimitet, sidomos tek shqiptarët, të pezullojë punën e Kuvendit”, tha Grubi.
Ai shtoi se ata konsultohen me disa ekspertë ligjorë dhe kushtetues për të shmangur bllokadën e Ivanovit, nëse edhe pas rivotimit të marrëveshjes me Greqinë, ai nuk do ta nënshkruaj dekretin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes.
Përndryshe, Ivanov sot njoftoi se do të vendos veto për ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, pasi sipas tij, e njëjta është jashtë Kushtetutës./Telegrafi/