Site icon Telegrafi

Art Gashi: Do t’ia zgjatja dorën prapë Blerandit dhe do t’i ofroja siguri maksimale

Dy skuadrat më të fuqishme në vendin tonë, Peja dhe Sigal Prishtina, do të përballën sonte në ndeshjen e pestë të finaleve të ‘play-offit’, sfidë kjo që vendos titullin e kampionit.

Me këtë rast, presidenti i KB Pejës, Art Gashi, ka folur për Telegrafin rreth takimit të sotëm. Ai tha se pret një fitore nga klubi i tij dhe premtoi një atmosferë madhështore në palestrën ‘Karagaçi’.

“Pres një fitore nga Peja sonte, pasi ne e fillojmë sezonin duke u përgatitur për ndeshje të tilla. Atmosfera do të jetë edhe këtë herë e madhe në Karagaç. I gjithë qyteti është duke e pritur këtë ndeshje të madhe dhe mund t’ju konfirmoj se të gjitha biletat tashmë janë shitur”, ka thënë Gashi rreth takimit të sotëm.

I pyetur se çfarë do të ndodhte në rast se Stavileci do të ishte i pranishëm në ‘Karagaç’, Gashi u shpreh se pavarësisht rrethanave apo tensioneve, gjithmonë duhen respektuar rregullat e ‘fair-playt’.

“E kam thënë se në sport duhet gjithmonë të zgjatet dora, pa marrë parasysh rrethanat. Besoj se Blerandi si ministër i ka zgjatur edhe ‘armiqve’ dhe e dinë se kjo është diçka normale që e bëjnë njerëzit e civilizuar”.

“Sikur Blerandi do të ishte prezent në takimin e sotëm, unë prapë do t’ia zgjatja dorën dhe do t’i ofroja një siguri maksimale, ashtu siç i ka hije një presidenti të klubit”, ka shtuar për fund Gashi. /Telegrafi/

 

Exit mobile version