Kryetari i KB Pejës, Art Gashi, ka folur pas injorimit që iu bë dje nga kryetari i KB Prishtinës, Blerand Stavileci në ndeshjen finale.
Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Pejës u mbyll me rezultat 80-65 për prishtinasit, duke e dërguar serinë finale në 2-2, ndërsa pas ndeshje Gashi shkoi t’i urojë drejtuesit e klubit bardhëekaltar.
Gashi nuk ka mbetur i prekur nga gjesti i Stavilecit, por nga reagimi i klubit të Prishtinës pas këtij rasti.
“Aspak nuk me çudit fakti që mbrëmë Blerandi nuk e zgjati dorën si burrë, por ndjehem shumë i zhgënjyer nga KB Prishtina me reagimin e tyre. Një klub i madh, me histori dhe shumë suksese nuk duhet të bjerë në atë nivel. Unë dhe Blerandi jemi vetëm individ, ndërsa KB Peja dhe KB Prishtina janë klube shumë të mëdha”.
“Kjo tregon edhe një herë se në çfarë niveli ka rënë Prishtina si klub dhe çfarë kontrolle ka kryetari mbi Klubin. Unë mbrëmë kam marr shumë sms dhe përkrahje nga vetë njerëzit që janë në Klub për një kohë të gjatë, që kanë ndihmuar Prishtinën me vite e që e ndihmojnë edhe sot, dhe të gjithë ishin kundër gjestit të kryetarit te tyre. Shume diktator shfrytëzuan fuqinë momentale, por më vonë të gjithë e dimë se si përfundojnë”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Ndeshja e fundit do të zhvillohet në Pejën në palestrën Karagaç. /Telegrafi/
PO ASHTU LEXONI: Ky është reagimi i Sigal Prishtinës pas skandalit me kryetarin e klubit pejan (Video)