Valdete Daka është shkarkuar sot nga kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Në arsyetimin e Presidentes Vjosa Osmani, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë”, thotë vendimi.
Tutje theksohet se Daka nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur e polarizimeve politike dhe duke pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme më 14 shkurt 2021, e ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së.
“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike kështu duke u pamundësuar balancin e nevojshëm në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e Kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueseve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar në përshkallëzimin e situatës gjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në arsyetim.
Mes tjerash, në këtë vendim si arsyetim është përmendur edhe trajtimi i pabarabartë kur u lejua votimi me dokumente të skaduara.
Kryetari i KQZ-së emërohet dhe shkarkohet nga presidenti. Mandati shtatëvjeçar i Dakës përfundonte më 2025.
Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e ka udhëhequr Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010. /Telegrafi.