Telegrafi

Arsyetimi i Bislimit për ikjen e mjekëve në Gjermani

Për ikjen e mjekëve nga Kosova, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi mendon që është normale, sepse sipas tij, mjekët ikin edhe nga Gjermania.

Këto komente Bislimi i bëri gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, gjatë debatit me opozitën për mosmiratimin e Projektligjit për pagat.

“Po, kanë ikë mjekë gjithmonë në Kosovë, do të ikin gjithmonë. Por, a dinë ose shkojnë mjekët në Gjermani, jo pse është rritur popullsia në Gjermani, sepse edhe mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë. Kështu, edhe nga Gjermania ikin mjekë, pastaj shtrohet nevoja të vijnë prej Ukrainës, prej Kosovës, prej Italisë, prej Polonisë. Është vlerë e Bashkimit Evropian. Projektligji i ri (i pagave) nuk do ta bëjë pagën 6 mijë euro mjekëve që mos të kenë nevojë të shkojnë”, tha ai.

Derisa, deputetja nga AAK, Tima Kadrijaj theksoi se nevojitet një pagë e dinjitetshme për mjekët e Kosovës që mos të ikin në Gjermani.

“Megjithatë bëhet një pagë e dinjitetshme, që nuk është e lehtë të shpërngulet në mërgim”, thekson Kadrijaj./KP/.