Site icon Telegrafi

“Arsyet kryesore për ajrin e ndotur në Maqedoni janë transporti, nxehja dhe mbeturinat”

Më së shumti anketues, apo 31%, transportin e konsiderojnë si faktorin kryesor të ndotjes së ajrit, më pastaj vijojnë nxehja me 25%, mbeturinat me 22.5%, industria me 13.6% dhe ndërtimtaria me 7.1%. Këtë e thotë hulumtimi i opinionit publik që ka kryer Instituti për hulumtime politike nga Shkupi. 18.3% e të anketuarve në pyetjen se cilët janë arsyet kryesore për ajrin e ndotur janë përgjigjur se “s’ka ndotje të ajrit”.

Rezultatet e hulumtimit u prezantuan në emisionin “Detektor” në TV “Sitel”, ku për ndotjen e ajrit foli edhe zëvendësministri për Mjedis Jetësor dhe Planifikim Hapësinor Jani Makraduli, i cili ceku disa masa për zbatimin e planit për ajrin e ndotur, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Makraduli tha se pret me programin e ri për uljen e ndotjes së ajrit të përmirësohet cilësia e ajrit.

Në pyetjen “Nëse Maqedonia ka qasjen e duhur ndaj menaxhimit të ndotjes së ajrit”, 58,7 % të të intervistuarve përgjigjen me “jo”, 26,7 % përgjigjen me “po” dhe 14,7% me “nuk e di”.

Për gjysmën e të anketuarve apo për 51.7% cilësia e ajrit krahasuar me vitin e kaluar mbetet i njëjtë, 28.2% mendojnë se përkeqësohet dhe 16.3% e të anketuarve që mendojnë se cilësia e ajrit përmirësohet.

Hulumtimi me temën “Ndotja e ajrit” është zbatuar në periudhën mes 8 deri 13 janar të vitit 2019 me 1091 anketues të moshës madhore në gjithë Maqedoninë./Telegrafi/

Exit mobile version