Megjithëse Giorgio Chiellini nuk luajti ndaj Villarrealit të mërkurën mbrëma, tifozët e Juventusit e kanë shënjestruar kapitenin e tyre duke e akuzuar se i jep prioritetit ekipit përfaqësues të Italisë.
37-vjeçari nuk ka luajtur që nga 2 shkurti (ndaj Hellas Veronas) duke munguar në shtatë ndeshje si pasojë e lëndimit të muskujve të poshtëm të këmbës.
Qendërmbrojtësi ishte në dispozicion të Massimiliano Allegrit për sfidën kthyese të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve, por veterani vetëm u nxeh dhe nuk u inkuadrua në lojë.
Zëvendësuesi i tij, Daniele Rugani, shkaktoi penallti në pjesën e dytë duke i mundësuar Villarreallit të kalonte në epërsi në minutën e 78-të, ndërsa Nëndetësja e Verdhë i realizoi edhe dy gola të tjerë në vazhdim duke eliminuar Zonjën e Vjetër nga gara prestigjioze në një fazë shumë të hershme.
Emri i Chiellinit ka qenë ‘trending’ në Twitter gjatë ditës së sotme (e enjte) së bashku me disa emra të tjerë, ndërsa ekziston përshtypja e përgjithshme te tifozët se ai po i qep më shumë rëndësi lojës me Italinë sesa me Juventusin.
Shumica e komentuesve e kanë akuzuar mbrojtësin për mungesë përkushtimi ndaj Bianconerëve duke thënë se ai është i përqendruar te rikuperimi për ndeshjet e barazhit për Kampionatin Botëror, njëra prej të cilave (ndaj Maqedonisë së Veriut) zhvillohet në javën e ardhshme.
Nuk është hera e parë që Chiellini akuzohet për këtë çështje, ndërsa e njëjta gjë vlen e edhe për partnerin e tij në mbrojtje, Leonardo Bonucci, i cili madje nuk ishte në dispozicion. Megjithatë, duhet thënë se akuzat për mungesë përkushtimi të dyshes duket e çuditshme kur kihen parasysh të arritur e tyre me fanellën bardhezi.
Allegri kishte pranuar këtë javë se Bonucci ka luajtur ndaj Empolit dhe Villarrealit, edhe pse ishte i lënduar, prandaj ka pësuar një rikthim të dëmtimit.
Chiellini ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2023, mirëpo është spekuluar se ai mund të pensionohet në fund të këtij sezoni në rast se Italia nuk kualifikohet për ‘Katar 2022’, për shkak të shpeshtimit të lëndimeve në sezonet e fundit. /Telegrafi/