Site icon Telegrafi

Arsovska: Do të ndërtohet mega park mbi 30.000 metra katror në Gjorçe Petrov

Foto: Telegrafi.com

Qyteti i Shkupit sot filloi realizimin e projektit kapital për ndërtimin e mega parkut në komunën Gjorçe Petrov – hapësirë e re e gjelbër në qytet që do të shtrihet në më shumë se 30.000 metra katrorë. Fillimin e aktiviteteve për ndërtimin e këtij parku të ri e shënuan kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, kryetari i Komunës së Gjorçe Petrovit, Aleksandar Stojkovski, drejtori i NP “Parqe dhe Gjelbërim”, Angele Sotirovski dhe drejtori i NP” Rrugë dhe Rrugica”, Boris Nastov, njftojnë nga Bashkia e Shkupit.

“Pjesë e projekteve kapitale prioritare për shkupjanët në përputhje me programin janë pesë mega parqe të reja në Shkup. Prandaj, sot në komunën Gjorçe Petrov shënojmë fillimin e ndërtimit të mega parkut të parë që po e realizojmë në Shkup. Si një njeri që ka fituar luftën me kancerin, si dikush që ka humbur më të afërmit nga kjo sëmundje tinëzare, mendoj se nuk ekzistojnë qëllime më të rëndësishme dhe më prioritare sesa të kontribuojmë në çdo mënyrë të mundshme që Shkupi të jetë një qytet ku sigurojmë jetë shumë më cilësore. Në Shkup po fillojmë diçka që nuk është bërë deri më tani, 5 mega parqe të reja që do të kontribuojnë në mënyrë afatgjate në mbrojtjen dhe përmirësimin gjendjes me mjedisin “, tha Arsovska.

Vendin, theksojnë nga atje, që më parë ishte një deponi me përmasa shumë të mëdha të mëdha mbi 50.000 metra katrorë, ekipet e Qytetit të Shkupit arritën ta pastrojnë plotësisht për të krijuar një hapësirë të re të parku. Aktivitetet e punës dhe rregullimi i hortikulturës së mega parkut parashikojnë katër faza realizimi, ndërsa parku është planifikuar të ketë tri pjesë me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 30 mijë metra katrorë.

Ndërmarrjet publike “Rrugë dhe Rrugica” dhe “Parqe dhe Gjelbërim” tashmë janë duke realizuar fazën e parë të këtij mega parku të ri, përkatësisht po bëhet nivelimi përgatitor i sipërfaqes, gërmimi dhe shënimi i plotë në përputhje me projektin për sipërfaqen e parkut. Në këtë fazë po bëhet caktimi i trasesë së korsive të këmbësorëve dhe biçikletave dhe hapësirës për përmbajtjet e tjera, si dhe po vendosen edhe instalimet e nevojshme nëntokësore.

Është parashikuar ngritja e sipërfaqeve të gjelbra, vendosja e sistemit vaditës, mbjellja e më shumë se 2.200 pemëve të dhjetëra llojeve të ndryshme, si dhe fidanë lulesh të përshtatshëm për zbukurimin dhe gjelbërimin e sipërfaqes së parkut.

Në fazën përfundimtare është parashikuar vendosja e pajisjeve urbane dhe rregullimi i plotë i hapësirës me shatërvanë, stola, elemente shoqëruese, kosha për mbetje, parking për biçikleta, si dhe ndriçim adekuat.

Mega parku në secilën nga tre pjesët ka korsi të brendshme për këmbësorë dhe korsi hyrëse shtesë. Parashikohet ndërtimi i këndit të lojërave për fëmijë, këndit të lojërave për kafshët shtëpiake dhe zonës së fitnesit, me rekuizite përkatëse, si dhe ndërtimi i një parkingu për vizitorët.

“Në Shkup, duke pasur parasysh gjendjen me ndotjen e cila është veçanërisht alarmante në muajt e dimrit, nevojiten sipërfaqe të reja të gjelbra, prandaj angazhohem fuqimisht që prioritetet programore të realizohen. Ky mega park me përmbajtjen e tij paraqet një hapësirë të re në qytet për rekreacion dhe kalimin cilësor të kohës së lirë dhe do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve në aspektin e mjedisit, si përfitim për të gjithë banorët e këtij vendbanimi dhe për vizitorët në përgjithësi. Vlera e përgjithshme e projektit është 68.500.000 denarë”, sqaroi kryetarja Arsovska./Telegrafi/

Exit mobile version