Site icon Telegrafi

Arsovska: Sulmojnë persona të cilët për 4 vite nuk realizuan as 5% të asaj që premtuan

Kryetarja e Bashkisë së Shkupit, Danela Arsovska, në konferencën e sotme për mediet vuri në dukje se 82 ditët që kaluan ishin një periudhë e mjaftueshme për të treguar dhe vërtetuar se me një qasje të sinqertë dhe punë këmbëngulëse, administrata në shërbim të qytetarëve do të mundësojë kthimin e besimit, me realizimin e projekteve për një qytet më të bukur, qytet në të cilin do të jenë të dukshme ndryshimet pozitive për të mirën e të gjithë qytetarëve.

„Krahas sulmeve ndaj meje në periudhën e kaluar nga persona që shpenzuan miliona nga mjetet e qytetarëve, për tekat e tyre personale për festime nëpër kafene, dhe që nuk realizuan as 5% të asaj që premtuan 4 vite, unë mund të konfirmoj para shkupjanëve se ditë të tilla janë tashmë e shkuar. Nuk do të ketë më shpenzime të parave të qytetarëve për qëllime personale, qyteti drejtohet me nikoqirllëk, ndërsa projektet që realizojmë dhe do t’i realizojmë në periudhën që vjen do të jenë dëshmi për këtë.

Arsovska shtoi se e gjitha kjo është dëshmi se mund të punohet dhe realizohet ajo që është premtuar, për dallim nga udhëheqja e mëparshme e cila për 4 vjet realizoi vetëm 5% të programit të saj. Ajo shtoi se së bashku dhe me mbështetjen e qytetarëve, Shkupi do të drejtohet me përgjegjësi, me transparencë, në shërbim të të gjithë qytetarëve.

„Paratë e qytetarëve nuk do të shpenzohen për festime e kafene, për luks nga individë, nuk do të keqpërdoren privilegjet, për shkak të të cilave Bashkia është lënë në borxhe shumëmilionëshe”, potencoi Arsovska.

 

Exit mobile version