Site icon Telegrafi

Arsenijeviq për zgjedhjen e kirurgut në krye të Listës Serbe: Ata kanë nevojë për një psikiatër

“Mund të them se edhe nëse e sjellin Nënë Terezën në krye të Listës Serbe, nuk mendoj se do të ndryshojë asgjë”.

Kështu ka vlerësuar Aleksandar Arsenijeviq, udhëheqës i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe”, për zgjedhjen e Zllatan Ellek në postin e presidentit të asaj partie politike, shkruajnë mediat në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi.

Ai më tej ka thënë se “kryetari i ri është një mjek, një kirurg, Dr. Elek”.

“Mendoj se në krye të asaj partie duhet të vijë një mjek psikiatër, sepse pas dhjetë vjetësh që po bëhet një politikë e tillë… nuk është politikë, por tragjedi”, ka thënë me ironi ai.

Sipas tij, pavarësisht pse të gjithë po i kushtojnë vëmendje emërimit të kryetarit të ri të partisë, e kemi edhe një nga faktet, që është largimi i Igor Simiqit dhe Goran Rakiqit nga kreu i Listës Serbe.

Ai shtoi se doktori Ellek nuk është një figurë jopartiake dhe se dikush me dashje do të “tallet” me publikun.

Lexo po ashtu Zllatan Ellek, zgjidhet kryetar i ri i Listës Serbe

“… Nuk e di pse dikush dëshiron të pretendojë se është një person jopartiak. Por le të jemi realist, ai është shumë personazh partiak, ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet…”.

Dhe ai nuk e sheh se Ellek do të ketë sukses në ngritjen e “respektit” për Listën Serbe te qytetarët.

“Mendoj se (Ellek) tani do të sjellë një diskutim të ri në mesin e qytetarëve, por dyshoj shumë se do të rrisë rejtingun (e Listës Serbe)”, ka përfunduar Arsenijeviq.

Kujtojmë se Dr. Zllatan Ellek, sot është zgjedhur kryetar i ri i Listës Serbe në një takim të kësaj partie politike në Mitrovicën e Veriut. /Telegrafi/

Exit mobile version